KRYEQYTETIT I SHTOHET EDHE NJE GALERI E RE

Të ngjitura afër njëra tjetrës dhe me kuptim shumë të përfaërt me njëra tjetrën, janë ekspozuar pikturat në galerinë më të re në Prishtinë, “Dada”. Pasioni i koleksionuesit Genc Rodiqi për pikturën, bëri që ai të hap një studio dhe galeri të re në kryeqytet. “Seleksionimim dhe ruajtën e pikturave kam filluar ta bëj qysh nga viti 2007, saktësisht dy vite pasi që jam kthyer nga Anglia. Aso kohë, në kryeqytet nuk ka pasur shumë vende atraktive, në veçanti gjatë vikendeve dhe për këtë arsye i vetmi argëtim për mua ishin vizitat tek piktorët në studiot e tyre. Ia vlen të përmendet vizita që i kam bërë Amer Ibrahimit dhe Faton Kryeziut”, thotë Rodiqi.

Të ruajtura me vite, këtë veprimtari të piktorëve, Genc Rodiqi e ka mbajtur me shumë kujdes në studion e tij. “Ka shumë piktura të veçanta. Njëra prej tyre është edhe ajo e Rron Qenes, ‘Sirenat e Beratit’, kjo pikturë ka një histori shumë interesante dhe paraqet një peizazh shumë të bukur të qytetit të Beratit. Vepra me madhësi të ndryshme dhe me veçanti të rralla janë shumë të dashura për mua. Është edhe një pikturë shumë specifike nga i ndjeri Arian Berisha. Pikturën e tij e mbaj me shumë dashuri pasi që e kam çmuar shumë si piktor”.

Puna si mbledhës i pikturave, Genc Rodiqit i dha një tjetër rrugë artistike, hapjen e galerisë së tij personale të quajtur “Dada”. Sipas tij, Prishtina ka nevojë për më shumë galeri pasi që ka shumë veprimtari që duhet të ekspozohen. “Qëllimi për të hapur këtë galeri ishte edhe për t’iu dhënë mundësi artistëve të ri ta prezantojnë punën e tyre artistike”, theksoi ai. Galeria “Dada” do të jetë e hapur për të gjithë dhe sipas Genc Rodiqit, brenda një viti do të ketë rreth 11 ekspozita të hapura. Kjo galeri do të jetë në dispozicion edhe për shitjen dhe blerjen e veprave artistike.

  • Johan Wolfgang Goethe 2, Arberia I,
  • 10000, Prishtina, Republic of Kosova
  • art@dadarts.com
  • Genc Rodiqi B.I
  • Fiscal No: 601239157
  • Business No: 71300552